Enver Hasani: Letra e Kurtit është presion ndaj Gjykatës Speciale
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka deklaruar se letra e drejtuar Gjykatës Speciale nga Albin Kurti për lirimin me kusht të Rexhep Selimit, është presion ndaj drejtësisë së Tribunalit.
Hasani ka thënë se ish-kryeministri Albin Kurti ka probleme t’i qaset organeve të drejtësisë, sipas tij ai po përçon mesazhin e keq të standardit kosovar që është raporti politik me drejtësinë.Ai tha se letra e dërguar Speciales nga Kurti është ndërhyrje konstante dhe presion ndaj Tribunalit të Hagës.
“Konceptualisht mendoj se si ish-kryeministër e ka pak problem me ju qas në një mënyrë të tillë një organi të drejtësisë, mendoj se është problematike sepse me këtë e përçon një mesazh të keq sa i përket standardit kosovar që është raporti i politikës me drejtësinë që është ndërhyrje konstante, kjo shihet si e tillë”, tha Hasani fillimisht.
“Po nisem prej vetes me qenë gjyqtar ose prokuror çfarëdo kur kam qenë e kisha llogarit si presion në vendimmarrje”, tha Hasani në Dukagjini.
Ndryshe, Albin Kurti, i ka shkruar një letër gjyqtarit të Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, për lirimin nga burgu të Rexhep Selimit, e kjo gjë ka ngjallur reagime të ndryshme në vend.

