Epopeja e UÇK-së: Selami Neziri kujton bisedën që kishte me Kadri Veselin para 22 vitesh

Në përvjetorin e madh të Epopesë së lavdishme të luftës së Komandantit legjendar, Adem Jashari në Prekaz, që shënoi edhe fillimin e luftës çlirimtare, ish komandanti i Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani” dhe anëtari i Shtabit të Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, Selami Neziri – komandant Agroni, nga ditari i tij i luftës, sot në llogarinë e tij në facebook ka bërë publike momente nga 22 vjetori i luftës heroike të Jasharajve dhe si ishte reflektuar ajo në atë fillim te shqiptarët që jetonin në Zvicër.

Në fakt, i ndjekur politik disa vite më parë në Kosovë, Selami Neziri në atë kohë bashkë me Kadri Veselin ishin studentë në Universitetin e Friburgut në Zvicër, për tu kthyer menjëherë në Kosovë, raporton Gazeta Online Veriu.info.

“Ende pa përfunduar lajmet e mbrëmjes në TVSH, se që ofshau Kadriu (Kadri Veseli) “heu a ka bre shqiptar në atë Gjilan që një guri nuk e qesin në rrugë, që të pengojnë ata konvoj ushtarak, që pa therrë në këmbë po mrrin në Drenicë. A veç Drenica gjithëherë po duhet me nis luftën a!!??”

Do nisem unë pas dy-tri dite, i thash.

Më prit në Shqipëri. Mos hy në Kosovë, pa u takuar. Do të bashkohemi UÇK dhe LKÇK. Luftën do ta bëjmë bashkë! Ishin fjalët e Kadriut”, ka shkruar Neziri.

Ky është postimi i plotë i Selami Nezirit-komandant Agronit

Sot njëzet e dy vite më parë
Vazhdim…..

Ishte nata e 2 marsit të vitit 1998, në Friburg të Zvicrës kur unë dhe Kadri Veseli po i dëgjonim lajmet e TVSH-ës.

“Ka disa ditë që policia serbe ka vendosur postëblloqe në të gjitha udhëkryqet e rrugëve në Drenicë. Ushtria serbe është pozicionuar në Fabrikën e Municionit në Skenderaj. Gjithashtu edhe konvoje të gjata të ushtrisë serbe nga Serbia marshojnë në drejtim të Drenicës. Sot një konvoj i ushtrisë serbe ka marshuar në drejtim të Llaushës. Fshatrat e Drenicës gjenden në rrethim të plot”. Ende pa përfunduar lajmet e mbrëmjes në TVSH, se që ofshau Kadriu (Kadri Veseli) “heu a ka bre shqiptar në atë Gjilan që një guri nuk e qesin në rrugë, që të pengojnë ata konvoj ushtarak, që pa therrë në këmbë po mrrin në Drenicë. A veç Drenica gjithëherë po duhet me nis luftën a!!??”
Do nisem unë pas dy-tri dite, i thash.

Më prit në Shqipëri. Mos hy në Kosovë, pa u takuar. Do të bashkohemi UÇK dhe LKÇK. Luftën do ta bëjmë bashkë! Ishin fjalët e Kadriut.

Brugg AG, 5 mars 1998

Ne anëtarët e LKÇK-së, Osman Shahini, Besim Beqiri, Blerim Zhabari dhe unë, patëm një takim me shumë djem të rinj, të cilët kryesisht ishin nga kampet e azilit në rrethinën e qytetit Brugg AG.
Takimi ishte në ambient të hapur në periferi të qytetit. Lajmet e TVSH-së në mbrëmje kishin alarmuar mërgimtarët, veçanërisht ata të cilët kishin gatishmëri për tu kthyer. Të gjithë donin të dinin se çka po ndodhë në Kosovë.

…..
Në mbrëmje u shpërndam për tu përshëndetur me të afërmit tanë, se ne nesër po niseshim për Kosovë.

Unë e Blerimi shkuam tek daja Emin në Basel ndërsa Besimi shkoi tek nusja e tij, të cilën e kishte martuar para dy jave. Nesër do ta linte vet.