“Era Shtet” – VV në Gjilan favorizon në punësim balldëskat, baxhanakët e kunatat
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie, ku para qytetarëve kanë paraqitur super-skandalin e punësimeve dy anëtaret e Kryesisë, Shqipe Kastrati – Haziri dhe Drenushë Maloku.
LDK me kohë ka paralajmëruar për kurdisjet që po i bënë Hyseni i VV-së në konkursin e fundit në Drejtorinë e Arsimit, proces në të cilin janë përfshirë edhe deputetë të kësaj partie e drejtori i DKA-së.
Kjo çfarë ka bërë Alban Hyseni në këtë konkurs, i humb shpresën çdo të riu e të reje se mund të punësohen pa qenë pjesë e partisë në tyre, dhe jo vetem kaq.
Duhet të jesh kunatë, balldeskë, kusheri apo shofer i kryetarit Alban Hyseni, deputetes Arjeta Rexhepi dhe deputetit Luan Aliu, si dhe drejtorit të Arsimit, Shpend Nuhiu.
Nuk duhet ta harrojmë premtimin e krerëve të kësaj partie me termin se në qeverisjen e tyre do të vije “Era Shtet”, ndërkohë që e bënë pikërisht të kundërtën, duke shkelur me dy këmbët barazinë në punësim e konkurrencën.
Emrat e fatlumeve nga ky konkurs, që janë të gjithë familjarë të afërt me pushtetarët, janë:
Valdrina Iseni-Kunata e Alban Hysenit, administratorit të Komunës.
Vlora Nuhiu-Kunata e Shpend Nuhiut – Drejtorit të Arsmit, i cili për një muaj mandat, bëri 2 punësime familijare.
Donika Ukshini-Vajza e xhaxhait të Ardita Ukshini- këshilltare e pushtetit aktual.
Bleona Arifi-Aktiviste e Vetëvendosje!
Mile Kastrati-Balldeska e Shpend Nuhiut, Drejtor i Arsimit në Gjilan.
Laura Sylejmani-Kunata e Arijanit Sadikut, ish- kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Floresë Zeqiri-Mbesa e burrit të deputetes, Arjeta Rexhepi.
Mimoza Alidemi-Balldeska e deputetit Luan Aliu.
Ajshe Berisha-Gruaja e fotografit të Alban Hysenit.
Nëse me këtë konkurs nuk merren organet e drejtësisë, për të shpërfaqur të gjitha parregullsitë në tërësinë e tij, pergjatë të cilit gjejmë parregullsi dhe shkelje të të gjitha neneve të UA për rekrutimin e mësimdhënsëve, atëherë sistemi arsimor në Gjilan me këtë konkurs, do të shënojë degradimin më të madh në historinë e arsimit në komunën tonë.