Erdogan: Nga sulmi me bombë u vranë 6 persona në Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se gjashtë persona janë vrarë dhe 53 janë plagosur në Stamboll më 13 nëntor. Ai theksoi se shpërthimi ishte “sulm me bombë” dhe mund të jetë sulm “terrorist”.

Duke folur për gazetarët para se të nisej për në Indonezi, ku do të marrë pjesë në samitin e G20-s, Erdogan tha se shpërthimi ishte sulm “i pabesë”, duke shtuar se keqbërësit do të ndëshohen.

“Mund të jem gabim nëse e them se jam i sigurt se ky është terror, por sipas shenjave të para…. ka një erë terrori në këtë ngjarje”, tha Erdogan gjatë një konference për media.

“Përpjekja për të sunduar Turqinë dhe popullin e Turqisë përmes terrorizmit nuk do të jetë e mundur të arrihet as sot, e as nesër”, shtoi ai.

Sipas liderit turk, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes dhe dy në spital. Edhe 53 persona të tjerë janë plagosur, sipas guvernatorit të Stambollit, Ali Yerlikaya, transmeton rel.

Yerlikaya më herët shkroi në Twitter se të plagosurit janë duke marrë trajtim mjekësor.