Erton Musliu dënohet me 8 vite burgim për aksidentin ku vdiqën 5 persona
Gjykata Themelore në Ferizaj i ka shqiptuar 8 vite burgim të akuzuarit Erton Musliu, për aksidentin e shkaktuar në qershor 2021, në Koshare të Ferizajt, ku humbën jetën pesë persona.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Musliu u shpall të premten nga gjyqtarja Kadrije Goga-Lubishtani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, më 6 qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, i pandehuri duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika”, me dashje eventuale shkel nenin 53, paragtafin 1 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.
Duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe kishte kaluar në shiritin e majtë rrugor, me ç’rast më pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” në pjesën e përparme të anës së majtë, i cili automjet ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.
Në këtë aksident, në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë N.R., Xh.R., S.R. dhe i mituri Y.R., kurse I.R. ndërron jetë më pas në QKUK në Prishtinë.
Ndërkaq, L.H. pëson lëndime të rënda trupore, kurse Y.H. lëndime të lehta.

