Esat Berisha, intelektuali që u pushkatua pa gjyq
Esat Berisha (1913-1944) rrjedhë nga një familje me tradita patriotike dhe arsimdashëse gjilanase. Shkollën fillore (në gjuhën serbe) e kreu në Gjilan, ndërsa Medresenë në Shkup (1935), ku pati fatin të njihet me shumë intelektualë e patriotë të kohës, shkruan Mediafokus.info
Pas mbarimit të medresesë, regjistrohet në fakultetin Juridik në Beograd, por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, detyrohet t’i ndërpres studimet, megjithëse nuk hoqi dorë nga shkollimi.
Më 1942 u regjistrua në Universitetin e Zagrebit, ku edhe u diplomua në mars të vitit 1943.
Gjatë studimeve në Beograd u angazhua në Lëvizjen e Rinisë Përparimtare të Kosovës, e cila funksiononte në kuadër të Organizatës “Kosmet”.
Esat Berisha kundërshtoi publikisht planin e pushtetit jugosllav për shpërguljen e shqiptarëve në Turqi dhe ishte njëri ndër shumë studentë të Kosovës që nënshkroi Proklamatën kundër shpërguljes së shqiptarëve me dhunë për në Turqi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Esat Berisha u angazhua në jetën politike si veprimtar për çështje të kosolidimit të shtetit shqiptar dhe përfshirjes së të gjitha trojeve etnike brenda kufijve të Shqipërisë.
Si intelektual, Esati bashkëpunoi me shumë gazeta e revista të kohës që dilnin në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Interesimet dhe shkrimet e tij ishin të angazhuara dhe preknin fushën kulturo-arsimore dhc politiko-juridike të jetës dhe shtetit shqiptar.
Esat Berisha udhëhoqi tubimin e organizuar me nëpunësit dhe rininë që shërbenin në administratën e nënprefekturës së Gjilanit, më 1941.
Si i ri u mor edhe me sport, sidomos me futboll. Lante në klubin sportiv “Bashkimi” të Gjilanit, së bashku me Xheladin Kurbaliun, Abdullah Preshevën, Selim Selimin etj. Ishte edhe anëtar i Këshillit Drejtues të këtij klubi.
Meqë me profesion ishte jurist, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi një kohë si gjyqtar i Gjyqit Paqtues për Nënprefekturën e Gjilanit.
Esat Berisha së bashku me Mehmet Devajën ishte delegat i Gjilanit në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ku zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qendror.
Kur me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit proklamoi bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tivarit me Shqipërinë si dhe të qarkut të Kosovës (Mitrovica. Vushtrria dhe Podujeva) që i takonte zonës së pushtimit gjerman.
Avokati Esat Berisha, në cilësinë e delegatit të Gjilanit, kërkoi nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës kufitare me Bullgarinë fashiste, duke u angazhuar që brenda kufijve të Shqipërisë të përfshihen edhe trevat shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar.
Me rastin e riorganizimit të Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nga ana e Xhafer Devës, në korrik të vitit 1944, Esat Berisha caktohet përgjegjës për dikasterin e transportit.
Pas 17 nëntorit 1944 kur shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit vendosën të lëshonin vendin, Esat Berisha u gjend në mesin e atyre që nuk deshën të largohen nga Kosova.
Pothuaj të gjithë ata që mbetën në Kosovë, ose që kaluan në Shqipëri u ekzekutuan nga ana e organeve të pushtetit serb, i cili u vendos në Kosovë, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Menjëherë pas depërtimit në Gjilan të njësiteve të UNÇJ-së dhe të forcave të ushtrisë bullgare si dhe me konsolidimin e pushtetit komunist, filloi riaktivizimi i elementeve proçetnike sebo-malazeze, të cilët shfrytëzuan momentin për të realizuar qëllimet e tyre për likuidimin fizik të shqiptarëve, sidomos të atyre më me autoritct dhe të atyre që kishin mbrojtur dhe mbronin interesat kombëtare shqiptare.
Ata, veçmas i likuidonin intelektualët dhe patriotët shqiptarë. Kësisoj, brenda një kohe të shkurtër u mbushën burgjet përplot shqiptarë dhe filloi likuidimi i tyre pa kurrfarë procedure gjyqësore.
Arrestohet nga OZN-a më 17 dhjetor 1944 dhe të nesërmen pushkatohet në mënyrën më mizore, me të vetmin “faj” se kishte qenë anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Më vonë ia vrasin pa gjyq edhe babanë Ymerin, kurse vëllain Hamdiun ia dënojnë me burg të përjetshëm.
Emrin e tij e mban sot shkolla në Llashticë, prej nga e ka prejardhjen kjo familje. /Mediafokus.info

