Është ndarë nga jeta mësuesi dhe ish-inspektori i tregut, Bejtullah Ramadani

Është ndarë nga jeta mësuesi dhe ish-inspektori i tregut në Gjilan, Bejtullah Ahmet Ramadani.

Axha Bejtë, ashtu siç e thërrisnin bashkëvendasit, ishte i lindur më 26 maj 1950 në Përlepnicë, ku edhe kreu shkollën fillore.

Shkollën e mesme e kreu në Gjilan, në vitin 1971. Shkollimin e Lartë – komercialen e kreu në Pejë.

Në fillim si mësuese në shkollën fillore të Novobërdës -Artanës, më pastaj në Koretin.

Ndërkohë mësuesi Bejtullah Ramadani pranohet mësues në shkollën e vendlindjes në Përlepnicë, ku punoi një vit.

Pasi ishte kualifikuar për ekonomist,  konkurron në administratën komunale për inspektor të tregut dhe pranohet më 01.01.1982.

Punën e inspektorit e kreu derisa u futën masat e dhunshme në Kosovë dhe në administratën komunale në Gjilan. Në vitin 1990 e largojnë nga puna.

Pas luftës, Bejtullahu pranohet zyrtar kryesor për furnizim në administratën komunale në Gjilan.

Nga kjo pozitë pastaj kalon inspektor tregu (2009), detyrë kjo të cilën e kreu në pension, në vitin 2015.

Ajo që e karakterizon mësuesin Bejtullah Ahmet Ramadani është qëndrimi dhe parimet.

Gjërat i thoshte troç, pa ekuivoke dhe ishte shumë i drejtpërdrejt.

Ndonëse Bejta punoi inspektor tregu dhe zyrtar kryesor për furnizim të administratës komunale, asnjë biznes dhe asnjë qytetar nuk mund ta thotë një fjalë të keqe për të.

Gjithmonë e respektoi ligjin dhe detyrën zyrtare.

Bejta ishte i përpikët në punë, i saktë dhe shumë i kjartë në komunikim me palët.

Vendimet i kishte të prera. Ishte fjalë pak dhe i shkurtër në diskutime.

Vlenë të theksohet se kishte një bukurshkrim të paparë.

Bejtullahu ishte i pakorruptuar. S’kishte para që e korruptonte. Jetoi me një pension prej 100 € dhe përveç tij, asnjë të hyrë në jetë nuk kishte.

Mësuesi la pas vete një familje të shkolluar dhe edukuar, dy vajza dhe një djalë me përgatitje superiore.

Bejtullah Ahmet Rama ishte inspektori i parë i tregut nga Përlepnica.

Varrimi i mësuesit Bejtë bëhet të premten me datë 26.01.2024 me namazin e Ikindisë në varrezat e Përlepnices.