Eu, baca Xah…
Do t’na duhet të presim edhe gjatë kohë e, një valltar si Ti, nuk do ta shohim në këto anë, që me kaq dashuri, zemër e shpirt i priu valles burimore…
Faleminderit për të gjitha ato kënaqësi që na i solle gjatë gjithë jetës, si në lojna e mesele popullore dhe veçmas me vallen burimore të Karadakut, po edhe me gjithë atë kontribut të madh në fushën e arsimit, të emancipimit të këtij populli, po edhe në afrinë e tij përmes epokës së pajtimit të gjaqeve, gjatë viteve nëntëdhjeta, ku shpirti yt human e atdhetar u dëshmua gjithmonë … dhe si është më së miri.
Tash, Ti prehu në Paqe, e ne, në kujtimet e bukura që i le, kudo që u ndodhe…
I lehtë e i ëmbël të qoftë ky dhe, aty ku u linde dhe aty ku asgjë për të mirën e këtij Atdheu, nuk kurseve.
Zija Aliu u nda nga jeta mbrëmë vonë, në moshën 71-vjeçare. Ishte një njohës, kultivues dhe afirmues i traditave kulturore shqiptare të Krahinës së Karadakut për gjysmë shekulli e më tepër.


