Euractiv: Ky është plani franko-gjerman për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Euractiv shkruan se e ka siguruar nga një burim i besueshëm propozimin franko-gjerman për normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim i publikuar nga Euractiv nuk ngjan me ato që deri tash janë thënë rreth tij, raporton Gazeta Express.

Që nga shtator, flitet për një plan franko-gjerman, ekzistenca e të cilit pranohet prej javësh nga Kosova, Serbia, zyrtarë evropianë dhe amerikanë.

Përmbajtja e këtij propozimi, që në publik tashmë njihet si “franko-gjerman” akoma nuk dihet zyrtarisht. Megjithatë, për të janë thënë shumë versione.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se plani sugjeron anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, pa u kundërshtuar nga Serbia.

Vuçiq gjithashtu ka thënë se nga ky propozim, do t’i jepeshin Serbisë më shumë fonde nga Bashkimi Evropian dhe një përshpejtim i rrugës për anëtarësim në union.

Në Kosovë është thënë se propozimi çon në zgjidhjen e disa problemeve dhe po ashtu parasheh njohjen nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës dhe gjithashtu pranimin e ekzistencës së saj nga Serbia, ndonëse pa njohje formale.

Por, propozimi franko-gjerman, sipas publikimit të Euractiv, në formën e tij të tanishme dhe i paredaktuar, paraqet diçka shumë më ndryshe. Euractiv shkruan se nuk dihet se si është dukur teksti i versioneve të mëhershme të këtij propozimi.

Në vend të njohjes dhe afateve strikte, ky draft fokusohet në normalizimin e raporteve nga një perspektivë e përbashkët e të ardhmes evropiane, duke e pasur elementin më kritik shkëmbimin e misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasada, por në një nivel më të ulët.

Përmbajtja e propozimit:

Neni 1

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë raporte normale dhe të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta.

Neni 2

Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në përputhje me MSA-në (Marrëveshjet e Stabilizim Asocimit), të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin çfarëdo mosmarrëveshje mes tyre ekskluzivisht me mjetet paqësore dhe të  përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 3

Ato riafirmojnë paprekshmërinë, tani dhe të ardhmen, të kufijve ekzistues mes tyre dhe zotohen për respektim të plotë të integritetit territorial të njëra-tjetres.

Neni 4

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me pohimin se asnjë nga të dy palët nuk e përfaqëson tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as nuk vepron në emër të tjetrës.

Neni 5

Kosova dhe Serbia duhet të promovojnë raporte paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe të kontribuojnë në siruginë rajonale dhe bashkëpunimin në Evropë.

Neni 6

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin e reciproke të juridiksionit të secilës palë.

Neni 7

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar cështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të raporteve të tyre. Ato do të arrijnë marrëveshje me pikëpamjen e zhvillimit dhe promovimit mbi bazën e Traktatit të tanishëm dhe për përfitimet e tyre të ndërsjellta në fushën e ekonomisë, shkencës, teknologjisë, transportit,  marrëthëniet gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mbrojtjes së ambientit dhe në fushat e tjera. Detajet janë pranuar në Protokollin Suplementar.

Neni 8

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.

Pyetjet praktike që lidhën me vendosjen e misioneve do të trajtohen ndaras.

Neni 9

Kosova dhe Serbia pajtohen se Traktati i tanishëm nuk do të ncenojë traktatet dhe marrëveshjet e mëhershme bilaterale dhe multilaterale, të arritura tashmë nga to ose për to.