Fahrije Hoti: Peci të kërkojë falje publikisht për shpifjen

Në emër të kooperativës bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti, e cila është një nga 200 gratë e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit që humbën bashkëshortët, djemtë ose të gjithë bashkë gjatë luftës në Kosovë, i kërkoi sot ministrit të Bujqësisë Faton Peci që të kërkojë falje pasi ai tha se “në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë e ka paditur znj. Fahrie Hoti përkatësisht Kooperativën Bujqësore KRUSHA dhe i ka kërkuar kthimin e 17,800 eurove që i kishin fituar si grant”.

Hoti i quajti shpifje këto deklarata të ministrit.

“Ministri Peci ka përmend që zonja Fahrije Hoti është e paditur në Gjykatë. Përkundrazi”, tha ajo.

“Nuk e di ku e ka gjetë atë dosje dhe kërkoj nga ministri bashkë me a që të kërkojë falje për këtë njollosje që ia ka adresu jo veç Fahrijes. Fahrija është individ… Të gjitha gratë e Krushës janë njollos nga ky etiketim që minitri e ka drejtu ndaj neve”, tha Hoti.

Ajo tha se nuk do nuk i dhemb për veten, por për gratë e Krushës që tha se janë njollosur nga ministri.

“Me keqardhje po them prapë, nuk po më dhemb si Fahrije Hoti. Po më dhemb si gratë e Krushës. Kisha kërku prapë nga ministri, nga institucionet, që të mos merren me çështjen e Fahrijes”, tha ajo.

“Ministri na ka njollosë dhe me të vërtetë nuk e fali pa kërkuar falje”, tha Fahrije Hoti. “Le të kërkojë në gjykatë, le të kërkojë në prokurori, ku Fahrije Hoti është e dënuar?”.

Edhe pse pranoi se Ministria e Bujqësisë ka refuzuar t’i japë grant korporatës së saj, Fahrije Hoti tha se është e gatshme të bisedojë me të.

“Le të vie, le të ulet, le të bisedojmë. Jam që t’i përgjigjem, edhe pse m’ka refuzu, le të vazhdojnë me më refuzu. Asnjëherë me u dorëzu. Kaq”, tha ajo.

Deri tash, Hoti tha se s’kanë “asnjë kontakt nga zyra e ministrit”, por tha se presin të kenë.

“Ne nuk e dimë arsyen pse jemi refuzu dhe nuk jemi hidhëru pse jemi refuzu”, tha ajo.

Ministria e udhëhequr nga Faton Peci u vu në qendër të kritikave pasi u mor vesh se ndërsa refuzoi t’i japë grant kooperativës së Fahrije Hotit, iu dha grante nga 100 mijë euro vëllait dhe dajës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.