Fama: Pa koncesione nuk ka marrëveshje finale Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian duhet të shikojë mundësinë që në platformën dialoguese Kosovë-Serbi, ta përcaktojë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, sugjeron Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit vjeshtor. Kjo organizatë e pavarur, që analizon konfliktet në botë, megjithatë parashikon se zgjidhja finale do të përfshijë koncesione të mëdha, duke përfshirë autonomi të gjerë për komunat serbe apo shkëmbim të territoreve.

Njëri nga hartuesit e këtij raporti, Giuseppe Fama, udhëheqës i Çështjeve Evropiane në këtë organizatë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se BE-ja nuk duhet të imponojë kufizime në dialog dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në bindjen e Kosovës që të ridizajnojë platformën dialoguese. Sipas tij, nëse Kosova pajtohet për autonomi të gjerë për komunat me shumicë serbe, e njëjta duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Në raportin e fundit të organizatës tuaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i keni bërë thirrje BE-së që ta përcaktojë nëse ka mundësi, fokusimin e qartë në arritjen një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në njohje reciproke. A e shihni këtë si skenar të arritshëm?

Giuseppe Fama: Hapësira manovruese është shumë e ngushtë dhe siç e dini diplomacia shpeshherë ka bërë një hap para e dy prapa, për shkak të kompleksitetit të kësaj çështjeje. Çelësi definitivisht është që të shtyhet sa më shumë drejt një zgjidhjeje potenciale finale. Përfaqësuesi i ri i BE-së, Mirosllav Lajçak ka njoftuar Këshillin për Politikë të Jashtme të BE-së, të cilët e miratuan strategjinë e tij nga bisedimet e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ekziston një momentum ndërmjet evropianëve që kanë ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje eventuale. Por, është e diskutueshme nëse kjo mund të arrihet shpejt.

Bilanci deri më tash mbetet i pandryshuar, pasi BE-ja ka pikëpyetjen e madhe për njohjen e ndërsjellë, pasi një gjë e tillë nuk është e thënë qartë në mandatin e përfaqësuesit special. Është e rëndësishme që për të arritur deri aty, të vijmë te një pajtim i ndërsjellë se marrëveshja për normalizim raportesh duhet të përfshijë njohjen, element që është i vështirë edhe për faktin se deri më sot, pesë shtete anëtare vazhdojnë që të mos e njohin Kosovën. Prandaj, në të vërtetë do të jetë çështje diplomacisë.

Radio Evropa e Lirë: A e shihni të mundshëm arritjen e kompromisit në dialogun Kosovë-Serbi dhe a ka rrezik që bisedimet të dështojnë për shkak të retorikës aktuale?

Giuseppe Fama: Retorika nuk e ndihmon aspak dialogun dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Një nga rekomandimet tona është që BE-ja të dyfishojë përpjekjet dhe të luftojë keqinformimin rreth dialogut. Janë dy gjëra që duhet të theksohen këtu. E para, duhet kuptuar se nuk ka zgjidhje, ku fitues i plotë do të jetë vetëm njëra palë. Nuk mund të ndodhë një skenar ku Kosova dhe Serbia do të arrijnë të përmbushin kërkesat e tyre plotësisht, prandaj do të duhet të bëjnë koncesione. E dyta ka të bëjë me rolin e BE-së, e që nuk duhet t’i ndalojë Beogradin dhe Prishtinën që të identifikojnë vet zgjidhjen potenciale, që mund të mos jetë në tërësi me atë çfarë rekomandon Brukseli.