Familjet kosovre paratë i shpenzojnë kryesisht për ushqim e banim
Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2022 është shpenzuar në ushqim dhe banim në Kosovë.
Nga rezultatet e dala nga një publikim i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rezulton se totali i shpenzimeve për konsum në Kosovë në vitin 2022 ishte 2 milionë e 527 milion euro, shpenzimet në konsum për një ekonomi familjare ishin 8 mijë e 106 euro, ndërsa shpenzimet për kokë banori ishin 1 mijë e 903 euro.
Konsumi i ushqimit dominohet nga buka dhe drithërat
Sipas ASK-së, konsumi i ushqimit në Kosovë sipas rezultateve të ABEF 2022, kryesisht dominohet nga buka dhe drithërat 19%, mishi 18%, qumështi, djathi, vezët, si dhe perimet dhe pijet joalkoolike 12%.
Në raport thuhet po ashtu se të hyrat e ekonomive familjare ishin pagat nga sektori publik dhe privat me mbi 50%
“Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në vitin 2022 ishin rrogat nga sektori privat dhe publik për më shumë se 50% të ekonomive familjare. Burime të tjera të rëndësishme të të hyrave të ekonomive familjare janë bizneset e ekonomive familjare dhe pensionet, ndërsa përreth 7% të ekonomive familjare ishin paratë e dërguara nga jashtë (remitencat)”, thuhet në raport.
