Fatlume Bunjaku, zëri i ri i kinematografisë kosovare në skenën evropiane
Aktorja kosovare Fatlume Bunjaku po shënon një nga sukseset më të rëndësishme në karrierën e saj artistike, duke u përzgjedhur si European Shooting Star 2026, një nga dhjetë aktoret dhe aktorët më premtues të Evropës.
Ky vlerësim prestigjioz e vendos atë në qendër të vëmendjes së industrisë evropiane të filmit dhe medias ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.
Në kuadër të programit European Shooting Stars, Fatlume Bunjaku do të prezantohet para profesionistëve të filmit, producentëve, regjisorëve dhe kritikëve nga e gjithë bota gjatë edicionit 2026 të Berlinale – Berlin International Film Festival, një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në nivel global.
Ajo është vlerësuar veçanërisht për interpretimin e saj të fuqishëm në filmin Hana, me regji të Ujkan Hysaj.
Në këtë film, Bunjaku portretizon një aktore që përballet me traumat e luftës përmes terapive artistike, duke sjellë një performancë të thellë emocionalisht dhe të ndërtuar me ndjeshmëri të lartë psikologjike.
Kritika ka veçuar praninë e saj të fuqishme në ekran, autenticitetin dhe aftësinë për të trajtuar role komplekse me maturi artistike.
Përzgjedhja e Fatlume Bunjakut si European Shooting Star 2026 përfaqëson një moment kyç jo vetëm për karrierën e saj personale, por edhe për afirmimin e kinematografisë kosovare dhe shqiptare në skenën evropiane.
Ky sukses dëshmon rritjen e cilësisë artistike dhe potencialin konkurrues të aktorëve shqiptarë në tregun ndërkombëtar të filmit, transmeton tutje albinfo.ch.

