Faton Hajrizi varroset në vendlindje, qindra qytetarë i japin lamtumirën e fundit

Faton Hajrizi është varrosur sot në fshatin e tij të lindjes në Klinë të Ulët në Skënderaj, raporton express.

Qindra njerëz u mblodhën atje për funeralin e 39 vjeçarit, në fshatin rrugët kryesore të të cilit ishin stolisur me flamuj kombëtarë dhe flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Faton Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik. Një ditë më herët ai raportohej se e kishte vrarë një polic serb dhe e kishte plagosur një tjetër në qytetin e Lloznicës.

Faton Hajrizi njihet më së shumti për vrasjen e një ushtari rus në Kosovë, më 29 shkurt të vitit 2000, kur ai ishte 15-vjeçar.

Më 6 korrik ai ishte arratisur nga burgu i “tipit të hapur” në Smrekonicë të Vushtrrisë, ku po qëndronte muajt e fundit.

Vendndodhja e tij nuk dihej për rreth dy javë, deri kur u raportua për vrasjen e policit në Lloznicë të Serbisë.