Fëmijën e kanë përjashtuar shokët? Ja si t’i flisni pa e lënduar më shumë
Refuzimi nga grupi mund të lëndojë thellë, por ja si prindi mund ta kthejë këtë në forcë dhe vetëbesim
Kur fëmija kthehet në shtëpi me lot në sy dhe thotë se “shokët nuk e duan më”, zemra e prindit thyhet. Në ato momente, çdo prind ndien dhimbje, zemërim dhe pafuqishmëri, por fëmija nuk kërkon zgjidhje të menjëhershme, kërkon mirëkuptim, ngrohtësi dhe siguri emocionale.
Një fëmijë që përjeton përjashtim nuk duhet të ndryshojë për t’u pranuar, por të mësojë se vlera e tij nuk varet nga sjellja apo mendimi i të tjerëve. Që ai ta kuptojë këtë, prindi duhet të jetë zëri i mbështetjes dhe i qetësisë.
Më poshtë janë pesë mënyra konkrete dhe të thjeshta se si mund ta ndihmoni fëmijën të ndiejë pranim, siguri dhe dashuri, edhe në situata kur ndihet i lënduar apo i përjashtuar.
1. Pranoni dhe emërtoni ndjenjat e fëmijës
“E kuptoj që të dhemb. Ke të drejtë të ndihesh i trishtuar, i hutuar apo i zemëruar.”
Fëmijët duhet të dinë se ndjenjat e tyre janë të vlefshme. Kur prindi e ndihmon ta quajë ndjenjën me emrin e saj, ai e mëson se është në rregull të ndihesh keq dhe nuk ka pse ta fshehë trishtimin apo turpin.
Këshillë: Mos e minimizoni dhimbjen me fraza si “Mos u mërzit, do kalojë.” Më mirë thoni: “E di që të vjen keq tani, por jam këtu me ty.”
2. Kujtojini se problemi nuk është tek ai
“Fakti që të kanë përjashtuar nuk do të thotë që ka diçka gabim me ty.”
Është thelbësore që fëmija të mos e lidhë refuzimin me vlerën e vetes. Shpesh fëmijët që përjashtojnë të tjerët e bëjnë për shkak të pasigurisë ose ndikimeve të jashtme, jo sepse “tjetri nuk vlen”.
Këshillë: Ndihmojeni të përmendë disa cilësi pozitive për veten – “jam shok i mirë”, “jam i sjellshëm”, “di të dëgjoj”. Kjo forcon vetëbesimin dhe qëndrueshmërinë emocionale.
3. Inkurajoni komunikimin e hapur
“Gjithmonë mund të më tregosh kur ndihesh i lënduar. Jam këtu për të të dëgjuar.”
Fëmija duhet të ndiejë se mund të flasë pa frikë dhe pa u gjykuar. Vetëm kështu krijohet ndjesia e sigurisë emocionale. Në vend që të kërkoni menjëherë shpjegime ose zgjidhje, dëgjoni me vëmendje dhe empati.

