Fëmijët e lindur nga viti 2014 e këndej do të përfshihen në skemën e shtesave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se nga muaji i ardhshëm zgjerohet skema për shtesat për fëmijë.

Sipas Muratit, këto shtesa do t’i marrin fëmijët e lindur nga viti 2014 e tutje, që do të thotë deri në 9 vjeç.

“Me miratimin e rishikimit të buxhetit sot, na bëhet e mundshme që duke filluar nga muaji i ardhshëm, të fillojmë zgjerimin e skemës për shtesat e fëmijëve. Aktualisht, shtesa marrin fëmijët e lindur nga 1 janari 2015 e këtej. Nga muaji i ardhshëm, do të fillojë zgjerimi edhe me gjeneratat tjera (2014, 2013, 2012 etj.), për të përmbushur kësisoj në tërësi premtimin se do të ketë shtesa për të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare”, njofton Murati.