Fëmijët në rrezik, sociologu ngre alarmin për lojën e rrezikshme “Spiderman” e “Superman” që po luhet në shkolla

Sociologu Jeton Brajshori ka ngritur shqetësimin e tij për lojërat e rrezikshme që po luhen nga fëmijët.

Ai së fundmi në një postim në Facebook, ka apeluar për kujdes për lojën e re të rrezikshme të quajtur “ Spiderman”, ose edhe “ Superman”.

“Kujdes! Loja e re e rrezikshme e quajtur “ Spiderman”, ose edhe “ Superman” po luhet me të madhe nëpër shkolla! 3 ose më shumë veta e kapin njërin duke e hedhur në ajër duke i thënë bonu spiderman ose superman. Personat që bien në tokë po kanë dëmtime serioze në gjymtyrë dhe kokë”, ka shkruar Brajshori.

Ai ka kërkuar që të ketë vëzhgime nga drejtorit e shkollave si dhe prindërit të janë vigjilent në ndryshimet e disponimit dhe pamjes fizike të fëmijëve të tyre ( duke kërkuar ndonjë hematom).

Kujtojmë se para disa javëve, Brajshori kishte ngritur shqetësime edhe për lojën “Roblox” dhe ndikimin negativ që kjo lojë mund të ketë mbi fëmijët.

Ai u bëri thirrje prindërve që të largojnë Roblox nga pajisjet e tyre dhe të bisedojnë me fëmijët për rreziqet që ajo përmban, duke u shprehur se loja përdor metoda joshëse për të tërhequr fëmijët dhe se kjo mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre emocional dhe social.