Ferizaj: Vëllai e rrah motrën, arrestohet
Konfliktet në familjet kosovare, shpeshherë përfundojnë me kanosje serioze e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë. Përveç rasteve të dhunës mes çifteve, jo rrallëherë përfshihen në raste të tilla edhe anëtarët e tjerë të familjes, raporton Sinjali.
Kështu, një incident i dhunshëm mes anëtarëve të një familjeje është regjistruar mesditën e djeshme në fshatin Pleshinë të Ferizajt, ku një vajzë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, kur pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari me inicialet E.M. ka goditur me shuplaka në fytyrë motrën e tij, E.Z., duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.
Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë kryer intervistimin e palëve dhe mbledhjen e provave relevante lidhur me incidentin.

