Ferrari F50, Rolls-Royce, Audi R8: Dalin pamje nga garazhi luksoz i Assadit të Sirisë
Në disa video që po qarkullojnë në internet thuhet se shfaqet koleksioni i veturave të presidentit tashmë të rrëzuar të Sirisë, Bashar al-Assad, në një garazh afër pallatit të tij kryesor në Damask.
Në një video, që ishte incizuar nga një person brenda veturës në lëvizje dhe e vërtetuar nga televizioni CNN, shihen më shumë se 40 automjete luksoze në një depo të madhe në perëndim të Damaskut.
Në mesin e disa veturave që shihen është një Ferrari F50 me ngjyrë të kuqe – që zakonisht shitet për më shumë se tre milionë dollarë – një Lamborghini, një limuzinë luksoze Rolls-Royce, një Bentley e një Audi R8.
Të paktën njëra nga veturat ka targa të Damaskut, raporton televizioni amerikan.
Në një video tjetër, të incizuar nga disa persona që po ecnin në këmbë nëpër garazh, shihet koleksioni i njëjtë i veturave.
Pas avancimit të shpejtë të rebelëve me një ofensivë disaditore, Assadi dhe familja e tij ikën për në Moskë, ku u është dhënë azil politik, i ka thënë më herët televizionit CNN një burim zyrtar në Rusi.
Në garazh shihen edhe vetura të tjera luksoze, përfshirë një Mercedes-Benz S-Class, një Aston Martin, një Audi S8 e një xhip amerikan Cadillac.

