“Ferri bie mbi Tokë”, i nxehti shkakton mbi 500 viktima në SHBA e Kanada
Temperatura të larta kanë përfshirë disa zona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë që lagen nga pjesa veriperëndimore e Oqeanit Paqësor.
Autoritetet në Kanada dhe shtetet Oregon dhe Uashington bëjnë me dije se rreth 500 persona kanë humbur jetën nga temperaturat përvëluese në ditët e fundit.
Zyrtarja e British Columbia, Lisa Lapointe shprehet se të dhënat flasin për 486 vdekje të panjohura në 5 ditët e fundit, në një kohë kur provinca kanadeze për një periudhë kaq të shkurtër kohore, në rastin më të keq ka raportuar 165 fatalitete.
Në Oregon temperaturat arritën deri në 45 gradë, duke bërë autoritetet lokale të fajësojnë të nxehtin për më shumë se 60 vdekje.
Po ashtu Seattle, Portland dhe shumë qytete të tjera thyen rekordin e temperaturave të larta, ku termometri shënoi mbi 46 gradë celsius.
Ndonëse situata ka qenë e vështirë, ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë qenë në gatishmëri për të parandaluar ndonjë zjarr të mundshëm. Gjithashtu janë ngritur dhe stacione që shpërndajnë ujë për kalimtarët, që të mos dehidratohen.

