Festivali i Gjirokastrës la jashtë zona të tëra folklorike të Kosovës

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u rikthye pas disa vitesh ndërprerje dhe u mirëprit anekënd trojeve shqiptare.

Gjatë këtyre ditëve, që kur ka filluar Festivali, në skenën e qytetit të gurtë u shpalosën motive, ritme, ngjyra, këngë, valle, rite e zakone nga ansamble e grupe folklorike të trevave të ndryshme, si vlera të trashëgimisë sonë shpirtërore.

Por, ajo që ra në sy është mungesa e mungesa e trevave të Kosovës, Luginës së Preshevës dhe e disa rajoneve tjera shqiptare, shkruan Mediafokus.info

Kosova u prezantua me një grup përfaqësues, sikur të ishte ky turne futbolli dhe jo festival i folklorit, që ka specifika në çdo trevë.

Për shembull, ana e Karadakut, që kultivon vlera të veçanta të folklorit, nuk u ftua fare. Kosova u barazua me zonën e Kukësit, Elbasanit, Beratit, apo ndonjë treve tjetër shqiptare.

Nëse qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij dhe ka si qëllim të mbrojë, promovojë dhe të popullarizojë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh, atëherë ky përfaqësim nuk erdhi i plotë kësaj here.

Rikujtojmë se Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua për herë të parë në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. /Mediafokus.info