FIFA pritet të ndëshkojë rëndë Serbinë, luajtën kundër Anglisë, bënë thirrje kundër Kosovës
Bëhet e ditur se kombëtarja e Serbisë rrezikon një dënim të ashpër nga FIFA, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë ndeshjes me Anglinë në Beograd, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Në aspektin sportiv, Serbia pësoi një humbje të thellë (0-5) përballë anglezëve. Por më problematike për FSS janë incidentet e ndodhura në tribuna.
Sipas mediave britanike, përcjellë albinfo.ch, veçanërisht portalit “Sportbible”, sjellja e tifozëve serbë mund t’i kushtojë Serbisë me sanksione të rënda.
Në stadium u shfaq një banderolë me mesazhin “Kosova është zemra e Serbisë”, ndërsa u dëgjuan edhe kore mbi Kosovën dhe Metohinë.
Këto veprime kanë nxitur reagime nga autoritetet në Kosovë, të cilët kërkuan nga FIFA dhe UEFA masa të menjëhershme.
Ndeshja u ndërpre për pak minuta pasi një lazer u drejtua në fytyrën e mbrojtësit anglez Ezri Konsa.
Gjithashtu, raportohen raste ku tifozët përdorën fishkëllima artificiale për të hutuar lojtarët në fushë.