Fillon shtypja e fletvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit
Ka filluar shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.
Ky proces po zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare dhe nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së.
KQZ njofton se përveç fletëvotimeve, janë duke u shtypur edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.
Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.
Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

