FKEE shpjegon procedurat për aplikimet e suksesshme
Mbi dy mijë familje kanë aplikuar për subvencionimin e masave të Efiçiencës së Energjisë (EE) në shtëpitë e tyre, në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.
Fondi i Kosovës pёr Efiçiencё tё Energjisë (FKEE) është në fazën e verifikimit të aplikimeve, derisa disa qytetarë veçse kanë pranuar përgjigje nëse u është pranuar aplikimi.
Zyrtarja për komunikim me publikun në FKEE, Fillojetë Konjuhi, ka treguar për Ekonomia Online procedurat që duhen ndjekur nga qytetarët që kanë marrë aprovimin e Fondit për subvencionimin e shtëpive të tyre.
Konjuhi ka thënë se të gjithë qytetarët që kanë pranuar përgjigje pozitive, do ta pranojnë një letër të para-aprovimit në adresën e emailit me të cilën janë regjistruar në platformën e-Kosova.
Prandaj, është e rëndësishme që ata t’i kontrollojnë këto adresa, sepse kanë afat prej shtatë ditësh për ta nënshkruar letrën.
Ndërsa, siç tha ajo, rimbursimet do të bëhen pas kryerjes dhe verifikimit të punimeve.
Qytetarët nga pranimi i letrës, kanë afat shtatë ditë që ta kthejnë të nënshkruar atë në FKEE.
Subvencionimi do të përfshijë koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit./EO

