Flamuri shqiptar valëvitet në një kantier ndërtimi në Kroaci, vendasit e quajnë provokim
Një situatë e pazakontë ka ndodhur të premten në komunën e vogël të Kashtelirit në rajonin e Istrias në Kroaci, pasi punëtorët e një kompanie ngritën flamurin shqiptar në një kantier ndërtimi në qendër të qytetit.
Siç raporton “Jutarnji”, flamuri u ngrit me rastin e lindjes së fëmijës së njërit prej punëtorëve, por disa prej banorëve vendas pretendojnë se veprime të ngjashme përsëriten dhe i perceptojnë si provokim.
Incidenti u raportua menjëherë tek autoritetet, të cilët ndërhyn dhe e hoqën flamurin. Policia nisi procedurat e mëtejme.
“Ne reaguam menjëherë sapo pamë flamurin në kantierin e ndërtimit dhe informuam policinë për gjithçka. Sipas rregulloreve tona, shfaqja e flamurit të një vendi të huaj në këtë mënyrë nuk lejohet dhe shërbimet kompetente tani po kryejnë procedurën e tyre. Kjo është hera e parë që kemi hasur një situatë të tillë në Kashtelir dhe presim që rregullat e Republikës së Kroacisë të respektohen”, ka thënë kryetari i komunës së vogël, Xhuliano Petroviq.

