Flet nga Infektiva pacienti me coronavirus: Shnosh e mirë në spital

Njëri prej tre pacientëve nga Stublla, të cilët i përkasin një familje të prekur nga coronavirusi, për Radio-Dukagjini, përmes telefonit, e ka përshkruar tërë situatën me pandeminë.

Ai ka thënë se babai kishte ardhur para pak ditësh nga Italia dhe meqë nuk po ndihej mirë, si zakonisht kur vjen për vjen për pushime, e kishte dërguar në emergjencën e Vitisë.

Në Viti, ai ishte udhëzuar për Gjilan dhe prej këtu, mjekët e kishin orientuar për Prishtinë.

“Në Prishtinë, pasi i bënë analizat babës, i cili vuan nga sëmundje kronike, i thanë se duhet të qëndrojë së klinikë. Me të mbeti të kujdesej gruaja ime, ndërsa unë u ktheva për pak pushim në shtëpi’, thotë pacienti.

Më tutje ai rrëfeu se pas një kohe, gruan e kishin vendosur në një dhomë tjetër, për shkak se edhe ajo kishte rezultuar e prekur.

“Edhe mua m`i bënë analizat, meqë vija prej të njëjtës familje dhe më thanë se isha i prekur nga virusi, kështu që tani unë e bashkëshortja jemi në një dhomë në spital, kurse baba në një dhomë tjetër”.

Ai tha se po ndihet mirë, bile me humor u përgjigj, duke thënë: “Shnosh e mirë në spital”.

Për babën 77-vjeçar tha se po ndihet pak më keq, por as ai nuk është në gjendje të rëndë, ndërsa për nënën dhe tre fëmijët që kanë mbetur në fshat, tha se ka folur me ta dhe janë mirë, por ka marrë vesh se mjekët kanë shkuar për t`i viztuar.

Ai mohoi që baba të ketë marrë pjesë në ndonjë dasmë.

“Dasmë nuk kemi pasur, por me kënd është takuar baba në Stubëll, nuk e di këtë, sepse unë merren me punët e bujqësisë dhe ia ka dalë me siguri në fshat”, tha pacienti i konfirmuar me coronavirus.

Kjo është njëra nga familjet më të prekura me coronavirus, të cilin besohet se e solli babai nga Italia, i cili erdhi para disa ditësh. /mediafokus.info