Flet për Mediafokus kosovarja që jeton afër vendit të krimit në Vjenë

Vjena është tronditur mbrëmjen e sotme nga një sulm me armë zjarri, bilanci i të cilit deri tani është shtatë të vdekur, raporton Mediafokus.info.

Për gazetën online Mediafokus.info, ka folur ish-zëdhënësja e LDK-së në Gjilan, Saranda Bllaca-Ahmeti, e cila jeton shumë afër vendit ku ndodhi krimi.

Nuk i ka dëgjuar krismat nga banesa e saj, por lajmin tronditës thotë se e mori nga mediat.

“Paniku është shumë i madh në këtë moment. Qe pesë vjet jetoj me familje në Vjenë dhe pata fituar një siguri shumë të madhe. Ka ndodhur që jam kthyer në banesë vet në çfarëdo kohe dhe jam ndier shumë e sigurt”, thotë Bllaca-Ahmeti për Mediafokus.info.

Por, nga ky moment, sipas saj, gjërat kanë ndryshuar krejtësisht sa i përket sigurisë.

“Pas kësaj ngjarje, sigurinë në Vjenë e vë në pikëpytje”, ka thënë Bllaca-Ahmeti, teksa tregon një aspekt tjetër që e ka trishtuar.

“Mbrëmë, bashkë me familje, kemi pirë kafe pikërisht në këtë vend ku ndodhi krimi. Jam e trishtuar”, ka deklaruar ish-zëdhënësja e LDK-së në Gjilan, Saranda Bllaca-Ahmeti.

Deri në këtë moment, asnjë kosovar nuk është raportuar të jetë i lënduar. Mediafokus.info/