Forcat izraelite e marrin nën kontroll anijen që ishte nisur drejt Gazës me Greta Thunbergun në të

Forcat izraelite e kanë marrë nën kontroll anijen që ishte përpjekur ta sfidonte bllokadën detare ndaj Rripit të Gazës. Zyrtarët izraelitë thanë se anija dhe ekuipazhi prej 12 personash, përfshirë aktivisten e njohur suedeze, Greta Thunberg, tashmë janë nisur drejt një porti izraelit.

Anija me emrin “Madleen” me flamur britanik, e operuar nga Koalicioni i Flotës së Lirisë Palestineze (FFC), kishte për qëllim që të dërgonte një sasi simbolike të ndihmave në Gaza të hënën dhe ta ngrinte vetëdijen ndërkombëtare për krizën humanitare atje, raporton gazeta “The Guardian”.

Megjithatë, në këtë anije zbritën forca izraelite në orët e hershme të së hënës para se ajo të mund të arrinte në breg, njoftoi organizata që e operon atë. Ministria e Jashtme e Izraelit më vonë konfirmoi se anija ishte nën kontrollin izraelit.

Ministria e Jashtme e Izraelit më vonë tha se të gjithë pasagjerët e anijes ishin të sigurt dhe të palënduar. “Atyre u janë ofruar senduiçë dhe ujë. Shfaqja ka mbaruar” – thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.

Organizata që e operonte anijen e akuzoi Izraelin se e “pengoi me forcë” atë duke vepruar me “pandëshkueshmëri të plotë”.

“Izraeli nuk ka autoritet ligjor për të ndaluar vullnetarë ndërkombëtarë në anijen Madleen” – tha Huwaida Arraf, njëra nga organizatoret e FFC-së.

Në mesin e personave që ndodheshin në anije ishin aktivistja suedeze për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg, dhe anëtarja franceze e parlamentit evropian, Rima Hassan.