FSK hap konkurs për rekrutimin e 840 ushtarëve të rinj

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar se sot është hapur konkursi për rekrutimin e 840 ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ministri Mehaj në një konferencë për media ka thënë se ky është konkursi për rekrutimin e numrit më të madh të ushtarëve, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që të aplikojnë.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se sot zyrtarisht shpallim konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj të FSK-së. Konkursi për pranimin e numrit më të madh të ushtarëve të FSK-së deri më tash. I ftoj të gjithë të rinjtë e të reja nga të gjitha komunitetet, pa dallim, që të aplikojnë. Ministria e Mbrojtjes garanton proces fer e transparent. Do të zgjidhen më të mirët prej më të mirëve”, ka thënë Mehaj.