Mësimdhënësit të vaksinohen pa hezitim, ata kanë kontakt me 30 për qind të popullatës

Ekipi profesional dhe ndërinstitucional i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan i ka ftuar qytetarët që të vaksinohen masivisht, me qëllim të parandalimit të virusit Covid-19, e posaçërisht punëtorët arsimorë, sepse ata kanë kontakt të drejtpërdrejtë me rreth 30 për qind të popullatës së kësaj komune.

Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Dr. Ukshin Ismajli, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, Ajhane Sefiu dhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Arbenita Hajdari, kanë njoftuar se stafi mjekesor është duke punuar vazhdimisht në zbatimin e masave parandaluese si dhe trajtimin e çdo pacienti që kërkon ndihmë.

“Vaksinimi është duke vazhduar në bazë të planifikimit dhe në përputhje të plotë me protokollin për vaksinim dhe deri më tani janë dhënë 17 mijë e 231, vaksina. Njëherësh, apelojmë që mësimdhënësit dhe personeli tjetër arsimorë të vaksinohet, sepse janë ata që punojnë me fëmijë dhe nxënës e që përbëjnë rreth 30 për qind të popullatës së përgjithshme të Gjilanit. Drejtorët e shkollave duhet të jenë insistuesit e parë që stafi të jetë i vaksinuar, sepse nxënësit dhe fëmijët nuk duhet të jenë të rrezikuar nga mësimdhënësit e tyre”, kanë thënë ata mes tjerash.

Gjilani është duke pritur vendimin e qeverisë për decentralizimin e shërbimit të vaksinimit, në mënyrë që t’u lejohet Komunave që këtë shërbim ta bëjnë edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, sepse kjo do të mundësonte vaksinim të numrit më të madh të qytetarëve.

Përndryshe, në Gjilan aktualisht janë 6367 qytetarë të shëruar plotësisht, 147 kanë humbur betejën me Covid, 25 raste janë aktive, derisa janë testuar gjithsej mbi 22 mijë qytetarë, kurse në spital janë vetëm 5 qytetarë.