Fushat llake – fushat rrotullake – rrumullake

Izeir Hyda

Për dy Fusha të Pogragjës si toponime me emra bimësh, për Fushën e Basilegut dhe Fushën e Sherbeleve kemi shkruar më parë.

Këto dy Fusha i takojnë llojit të fushave të ulta që shtrihen në brigjet e lumit Morava.

Mirëpo, rreth fshatit Pogragjë ka edhe disa fusha tjera, karakteristike, siç janë:
1. Fusha e Çelës
2. Fusha e Hankës
3. Fusha e Lilës
4. Fusha e Madhe dhe Fushat e vogla
5. Fushat Llake

Fusha është një vend i hapur, i gjërë në natyrë. Është një hapësirë natyrore e sheshtë me forma e madhësi të ndryshme.

Fusha ka gjithkund. Në të gjitha trojet shqiptare ka shumë fusha natyrore të mëdhe e të vogla, të ulëta, të mesme e të larta me emrat e tyre karakteristik.

Edhe vet Kosova është një fushë-lartë, më e lartë se të gjitha shtetet përreth.

Pra, shih për këtë arsye, asnjë lumë nuk hynë në teritorin e Kosovës nga vendet tjera, të gjithë lumenjtë dalin nga Kosova dhe derdhen në tri drejtime… në Detin Egje, në Detin e Zi dhe në Detin Adriatik.

Fushat kryesore në Shqipëri janë: Buzuji (Buzë Uji), Fusha e Dukatit, Fusha e Korçës, Fusha e Tiranës, Fushë-Kruja, Fushëarza, Fusha e Myzeqesë, Zadrima…

Ndër fushat kryesore të Kosovës: Fushë Kosova, Rrafshi i Dukagjinit, Fushëgropa e Llapit, e Drenicës, e Gjilanit, Morava e Epërme, Morava e Poshtëme (Moravica)… etj.

Fushat e Pogragjës, për të cilat po shkruajmë sot, i takojnë llojit të fushave të larta me lartësi mbidetare 300 – 500m.

Të gjitha këto fusha kanë karakteristikat e veta.

Shtrihen në kodrina dhe janë të rrethuara me male që kanë shërbyer si kullosa për bagëti.

Këto fusha të mbuluara me barë e lule kanë një bukuri të rrallë, sidomos, në stinën e Pranverës.

Të gjitha këto fusha janë shfrytëzuar në mënyrë të përbashkët dhe me harmoni nga pogragjasit.

1. Fusha e Çelës si toponim karakteristik eshtë një fushë që shtrihet mbi Lagjën e Cenajve, në anën e majtë të Prronit të Lopëve.

Supozohet se është çelë (është hapë) për tokë pune, por ka mbetë gjithmonë fushë për kullosë.

Dhe tani pothuajse është kthy në kapital të vjetër. Është bërë mal.

2. Fusha e Hankës: është një fushë e rrafshtë që shtrihet në anën e djathtë të fshatit mbi lagjën e Tomakëve.

Mban emrin e një gruaje (Hanka), e lagjës së Vacollëve e cila këtë fushë e ka shfrytëzuar si tokë pune (arë).

Si toponim ‘Fusha e Hankës’ ma kujton poemën e Ali Asllanit ‘Hanko Halla’ dhe Familjen e Hankonetëve të Ismail Kadaresë.

3. Fusha e Lilës: është një toponim shumë i vjetër që e ka marrë emrin nga një familje e vjetër pogragjase (Familja e Lilakëve).

Kjo fushë shtrihet mbi Tumën karakteristike të Pogragjës. Te kjo fushë shkohet përmes shumë rrugicave malore, por kryesisht shkohet kah Skurrini i Vacollëve dhe nga ana e majtë e Tumës, përmes Udhës se Rabës-udha e kerreve (udhë për qerre, raba-qerrja, karroca).

4. Fusha e Madhe dhe Fushat e Vogla: janë fusha të sheshta, të pjerrëta të mbuluara me barë e lule. Gjenden 1500m larg fshatit dhe kanë shërbyer si kullosa për bagëti.

Ato shtrihen ndërmjet rrugës Pogragjë-Bilinicë dhe Lugut të Kalit (Lugu i Jahijes).

5. Fushat Llake: shtrihen mbi arat Pukë, në anën e djathtë të Përronit të Bunarit, 400m lartësi mbidetare.

Këto fusha kanë formën e një rrethi dhe janë të rrumullakta.

Fushat Llake kanë marrë emrin nga forma e tyre. Fushat Llake (Rrotullake, Rrumullake). Rrotullak që vjen në trajtën e një rrethi: ndërtesë rrotullake, mure rrotullake, ara në formë rrethi, diçka që merr formën e një vije rrethore një vije të rrumbullakët, formën e unazës.

Fushat Llake, ky toponim karakteristik, emër + mbiemër i formuar nga një emër (Fusha) + mbiemër i panyjshëm (Rrotullake – Llake) është toponim shqip që është ruajtur deri në ditët tona.

Përdoret edhe sot i pandryshuar.