Gabim i madh në Arizona, Trump ende mund të dalë fitues

Sipas të dhënave, 98 për qind e qarqeve ishin numëruar në Arizona, kur realisht ishin vetëm 86 për qind prej tyre të llogaritura. Kështu ka raportuar redaktori i gazetës amerikane The New York Times, Patrick LaForge, gazetë kjo që ende nuk e ka llogaritur Biden si fitues në këtë shtet, transmeton Gazeta Metro.

Biden mbrëmë ishte shpallur fitues në shtetin zakonisht republikan Arizona, së pari nga rrjeti televiziv Fox e pastaj nga agjencia e lajmeve The Associated Press. Kjo kishte habitur republikanët që nuk pajtoheshin që kjo ishte e parakohshme.

Redaktori i gazetës prestigjioze amerikane The New York Times, Patrick LaForge ka bërë të ditur se ishte bërë një gabim nga Edison Research Data, që kompanitë e mëdha mediatike e shfrytëzojnë për raportim të zgjedhjeve (përfshi The New York Times) kishte raportuar se 98 % e qarqeve ishin numëruar në Arizona kur në fakt ishin numëruar vetëm 86 %.

LaForge kishte shkruar në rrjetin Twitter se “një gabim ishte gjetur në të dhënat që Edison Research (që shfrytëzohet nga @nytimes dhe organizata të tjera të mediave) për rezultatet në Arizona- 86 % e votave ishin numëruar, jo 98 %. NYT nuk e ka shpallur fitues Biden në këtë shtet, megjithëse ai ende prin.”