Gagica përkujton dëshmorin Nezir Shurdhani në 24-vjetorin e rënies
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan, Nazim Gagica, ka përkujtuar dëshmorin e kombit, Nezir Shurdhani, në 24-vjetorin e vrasjes.
Ai është shprehur se më meritorët për lirinë, shtetin dhe gjithçka që sot kemi, janë të rënët.
“Sot, në kujtim e nderim të jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit, Nezir Shurdhani, në 24-vjetorin e rënies, bëmë homazhe në vendin e rënies dhe tek Kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan.
Më meritorët për lirinë, shtetin dhe gjithçka që sot kemi, janë të rënët. Vetëm ata e kanë kryer me sukses e me nder detyrën ndaj atdheut.
Për ne të gjallët sot e për secilin brez në të ardhmen, të rënët do të shërbejnë si motiv dhe udhërrëfyes për punë të ndershme e në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Lavdi jetës dhe veprës së Nezir Shurdhanit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e atdheut!”, ka shkruar Gagica.

Homazhe te pllaka përkujtimore dhe te varrezat e dëshmorëve në nderim të dëshmorit Nezir Shurdhani ka bërë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi.
“Sot, me familjarë, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, vendosëm buqeta lulesh, pranë pllakës përkujtimore dhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në shenjë kujtimi dhe nderimi për dëshmorin, Nezir Shurdhani.
Neziri do të kujtohet si njeri i ndershëm e punëtorë i cili kur pranon detyrën din ta zbatojë atë edhe nëse kërkohet sakrifica me jetë.
Shembulli i tij, është frymëzim dhe motivim se si duhet atdheu dhe se si mbrohet liria.
I përjetshëm kujtimi për Dëshmorin e Kombit, Nezir Shurdhani!
Lavdi!”, ka shkruar Isufi.
Nezir Shurdhani u vra nga falangat e fundit të okupatorit në mbrojtje të institucioneve publike, një javë pas hyrjes së ushtarëve të UÇK-së dhe 11 ditë pas hyrjes së forcave të NATO-s.

