Garës për asamblenë komunale të Gjilanit i futet edhe rokeri, Valdrin Halimi

Artisti Valdrin Halimi ia ka mësyer seriozisht garës politike, nën siglën e LDK-së, në partinë që u anëtarësua para gati dy dekadash (2002).

31 – vjeçari është shembulli më i mirë i aktivistit, i cili ka kaluar nëpër të gjitha strukturat partiake, duke u ngritur e pjekur dalëngadalë politikisht dhe në fund thotë se erdhi momenti për t’i hyrë garës politike për asamble komunale.

“Nëse sot jam dikushi atëherë kjo i atribuohet kryetarit, Lutfi Haziri, i cili është shembulli më i mirë qysh duhet me iu dhënë hapësirë të rinjve. E falënderoj shumë për besimin që të jem pjesë e listës së tij fituese në zgjedhjet e 17 tetorit”, thotë Valdrini.

Me profesion është inxhinier i zërit, i diplomuar në Academy Institute në Londër.

Por, ai njihet në ‘shehër’ të Gjilanit si roker, i cili qysh në vitin 2005 ka nisur të merret aktivisht me muzikë, si solist i rock band-it “The Collective”.

Faqja zyrtare e LDK-së në Gjilan i ka bërë një profil interesant, me një përshkrim që duket se i kanë ikur shabllonit të dikurshëm.

“Valdrini është roker i ‘papërmirësueshëm”, shkruan LDK e Gjilanit për Valdrin Halimin.

Ja biografia e tij:

Valdrin Halimi, i lindur më 20 nëntor 1989, është master/profesional në Sound Engineer Academy Institute në Londër.

 Valdrini, që nga viti 2005, merret aktivisht me muzikë si solist i rock band’it “The Collective”. Është roker i pa ‘përmirsueshëm’ 😁

 Në vitet 2013-2015, Valdrini ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

 Në vitin 2014, Valdrin Halimi përmes procesit demokratik të votimit, zgjidhet kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL), në Gjilan.

 Tash e dy vjet punon me plot profesionalizëm në fushën e PR’it, në Zyrën e Kryetarit, në Gjilan.

 Valdrin Halimi është anëtar i LDK-së prej vitit 2002.

 Kandidimi i tij në këto zgjedhje, i bën nder LDK’së dhe Gjilanit!