Gati për 14 shtator, ekipet mjekësore do të monitorojnë gjendjen shëndetësore në shkolla

Komiteti për parandalimin e pandemisë globale Covid-19 në Gjilan, e ka vlerësuar të qetë gjendjen gjatë 24 orëve të fundit, ku janë shënuar vetëm tre raste pozitive. 

Pavarësisht kësaj, edhe më tutje kërkohet respektim i masave mbrojtëse, për të vazhduar me ulje të rasteve pozitive deri në nivelin zero.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka udhëhequr takimin e Komitetit, ka konfirmuar një rënie të lehtë të rasteve pozitive, gjithashtu edhe lehtësime në menaxhimin e situatës nga institucionet shëndetësore.

Sa i përket arsimit, gjithçka është gati për fillimin e vitit  të ri shkollor më 14 shtator, përfshirë edhe ekipet e mjekëve, të cilat do të monitorojnë gjendjen shëndetësore të nxënësve dhe personelit mësimor.

Po ashtu do të ketë në vazhdimësi edhe kujdestari të këshillit të prindërve dhe nxënësve.

“Kemi të bëjmë me një numër prej rreth 22 mijë nxënësish dhe personeli arsimor që do të kthehen në shkolla dhe kjo kërkon masa strikte me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.

Në çdo shkollë do të jenë ekipet mjekësore, përveç informimit të qartë për nevojën e respektimit të masave mbrojtëse.

Njëherësh, është duke u bërë evidentimi i mësimdhënësve me sëmundje kronike të frymarrje, probleme me mushkri, zemër etj, të cilët do të testohen, me qëllim që të mos rrezikohet shëndeti i tyre dhe as i personelit tjetër si dhe nxënësve.