Gazeta serbe: Policët së pari e plagosën Faton Hajrizin…
Gazeta beogradase “Blic” ka publikuar detaje të reja rreth vrasjes së Faton Hajrizit në Loznicë të Serbisë.
Sipas një versioni të tyre, Faton Hajrizi, ka qenë duke vrapuar në një rrugë kur aty ka kaluar një patrullë e policisë.
Sipas gazetës, Hajrizi ka filluar të qëllojë në drejtim të tyre.
‘Siç mësojmë, Faton Hajrizi ka mbetur i plagosur nga reagimi i policëve që ndodheshin në veturën patrulluese. Pasi policia e plagosi, Hajrizi filloi të çalojë, ai u përpoq të arratisej duke vazhduar të gjuante, por u neutralizua shumë shpejt”, shkrun Blici serb duke u thirrur në hetues policorë.
“Blic” ka publikuar fotografi të xhaketës së lëkurës së Faton Hajrizit dhe të veturës së policisë të shpuar nga plumbat.
Tutje, duke u thirrur në burime, “Blic” shkruan se dyshohet se Faton Hajrizi ka thyer celularin dhe e ka hedhur.
Për vrasjen e tij ka komentuar edhe ministri serb Ivica Daçiq, i cili tha se Hajrizi ka shkrepur 9 plumba dhe se dorëzimin s’e ka pasur në agjendë.
“Kur erdhi policia, ai hapi zjarr, policia gjuajti dy herë, ai filloi të ikte. Ai zbrazi nëntë plumba, policia e likuidoi, ai nuk e kishte dorëzimin në agjendën e tij, ai është një kriminel mizor, ka kryer pesë apo gjashtë vrasje”, thotë Daçiq.

