Gazetari kosovar heq dorë nga dëmshpërblimi prej 21 mijë euro

Gazetari Arsim Halili ka vendosur të heq dorë nga një dëmshpërblim prej 21 mijë euro, të cilin e ka fituar në procedurë gjyqësore me RTK-në.

Postimi i plotë i Arsim Halilit:

Në vitin 2019 e kam fituar një kontest gjyqësor kundër RTK-së pas një vendimi arbitrar dhe kundërligjor të suspendimit dhe degradimit 6 shkallësh nga ish drejtori gjeneral, Mentor Shala.

Ne fund të kësaj beteje disavjeçare, Gjykata kishte vendosur në favorin tim. Deri në këtë fazë, aktgjykimi parasheh dëmshpërblim financiar prej 21 mijë eurosh në total.

Kompensimi financiar nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete për mua, krahasuar me betejën time konsistente për vendosjen e drejtësisë dhe kthimin e ligjshmërisë në RTK.

Duke qenë kështu, ju njoftoj se kam vendosur të heq dorë përfundimisht nga ky kompensim.

Përkushtimi im për një RTK në shërbim të publikut, do të vazhdojë njejtë edhe në tê ardhmen.

RTK-ja ka filluar një fazë të re të zhvillimit dhe konsolidimit, për të cilën kemi kontribuuar dhe sakrifikuar prej vitesh.

Jam i lumtur dhe shumë optimist për përfundimin e epokës së degradimit të RTK-së.

Në vijim emaili zyrtar të cilin ia kam dërguar U.D. Drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

I nderuari U.D. Drejtor i Përgjithshëm z.Ahmetxhekaj!

Përmes këtij e-maili dëshiroj që vullnetarisht të shpreh gatishmërinë për të hequr dorë nga kompensimi financiar i diferencave të pagës, pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 28.01.2022 për zbatimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore të datës 02.04.2019 me numër reference 1470/19 dhe të konfirmuar pas marrëveshjes, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me numër 1282/22, dt. 06.04.2022.

E vlerësoj lart gatishmërinë dhe vullnetin tuaj për korrigjimin e padrejtësisë rreth 6- vjeçare dhe zbatimin e plotë të ligjshmërisë së konfirmuar me vendim gjykate ashtu sikurse konsideratën e vlerësimin tuaj profesional për ta dhënë kontributin për ngritjen dhe avancimin e Transmetuesit Publik.

Megjithatë, marr parasysh gjendjen e rëndë financiare me të cilën po përballet RTK-ja si pasojë e keqmenaxhimit në të kaluarën, borxheve milionëshe të trashëguara dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga përmbarusit, e duke qenë vet në pozitë menaxheriale vendimmarrëse e shoh si hap të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të reflektuar karshi situatës financiare dhe për të hequr dorë nga dëmshpërblimi financiar prej rreth 21 mijë eurosh përfshirë (kontributet pensionale, tatimin në paga shpenzimet e procedurës dhe kamatën ligjore prej 8 përqind).

Dëshiroj që të shpreh vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar kontributin për zhvillimin e Transmetuesit Publik.

Konsideroj se ndryshimet që kanë ndodhur muajve të fundit janë sinjal shpresdhënës se RTK-ja është në rrugë të mbarë për t’ju kthyer publikut si mediumi me shikueshmërinë dhe besueshmërinë më të lartë në vend.

Ky mbase është satisfaksioni dhe qëllimi ynë përbashkët, para çdo sakrifice dhe realizimi të së drejtës personale, që është cënuar nga menaxhmentet e kaluara.

Me respekt

Arsim HALILI
U.D. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm