Gazetari slloven: Martin Berishaj është akteri kryesor i lidhjes “Golob – GEN”
Gazetari dhe producenti i TV Planet, që është media e cila e zbuloi skandalin financiar në Slloveni ku u raportua se është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka thënë se të gjitha dokumentet e publikuara janë të vërteta.
Bojan Pozhar, në një intervistë për Albanian Post, tha se “(Martin Berishaj) është akteri kryesor i këtij rrëfimi, ai është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”.
Ai ka thënë, se në bazë të dokumenteve që ata kanë siguruar, dhjetë ditë pasi u themelua ndërmarrja “MB Consulting” në Mal të Zi kanë filluar të rrjedhin pagesat nga filiala e GEN-it në Beograd.
“I kam parë dokumentet, në TV Planet i kam shikuar dokumentet dhe momentalisht çështja është kështu: ambasadori Berishaj ka themeluar ndërmarrjen MB Consulting në Mal të Zi dhe përafërsisht dhjetë ditë pas themelimit të kësaj ndërmarrje kanë filluar të rrjedhin pagesat nga filiala simotër e ndërmarrjes shtetërore sllovene GEN-i në Beograd”.

