Gjashtë të lënduar nga aksidenti në rrugën Prishtinë – Gjilan
Para pak minutash ka ndodhur një aksident trafiku mes tre veturave në rrugën Prishtinë – Gjilan, si pasojë e të cilit disa persona kanë mbetur të lënduar.
Lajmin për Sinjalin tashmë e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se nga ky aksident janë lënduar gjashtë persona.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Gjilan, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira 3 automjete. Si pasojë e aksidentit janë lënduar 6 persona”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Disa nga të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Gjilanit.
Me rastin tashmë po merren zyrtarët e trafikut rajonal, për zbardhjen e detajeve dhe rrethanave të aksidentit.
Ndërkaq, qytetarët kanë reaguar me postime në rrjetet sociale, duke e cilësuar “rruga e vdekjes” arterien Gjilan-Prishtinë.
“Një tjetër aksident i rëndë në ‘rrugën e vdekjes’ Gjilan-Prishtinë. Përderisa pushteti vazhdon të bëjë hajgare me Gjilanin, këto pamje do të përsëriten. Kjo magjistrale ka marrë shumë jetë njerëzish dhe ka shkaktuar dëme të panumërta. As këto pamje disa herë në ditë nuk po i zgjojnë ata që mbajnë përgjegjësinë”, ka shkruar Ardian Azemi, një aktivist politik nga Gjilani.

