Gjashtë të lënduar nga një aksident i rëndë mes pesë automjetesh
Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Si pasojë e një aksidenti të rëndë ku janë përfshirë pesë automjete në Qerim të Gjakovës, kanë mbetur të lënduar gjashtë persona.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 13:35 është raportuar aksident trafiku në fshatin Qerim-Gjakovë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku të përfshirë në aksident kanë qenë pesë automjete (tri në lëvizje, ndërsa dy të parkuara). Për pasojë, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njeri prej të cilëve vazhdon të trajtohet në spitalin rajonal në Gjakovë, ndërsa të tjerët janë liruar”, tha Elezaj.
Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet se veturat kanë pësuar dëme të mëdha materiale.



