Gjatë aksionit të sotëm ‘Karaçeva 2’ janë arrestuar 22 persona

Policia e Kosovës është rikthyer sot në Karaçevë, për t`u përballuar me aktivitetet e paligjshme që po zhvilloheshin në këtë pjesë të vendit, sikurse edhe në disa pjesë tjera të Kosovës, me ç`rast ka arrestuar 22 persona. 

Aksioni i sotëm i cili është vazhdimësi e atij të 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës, është zhvilluar edhe në Ferizaj, Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë, Podujevë e Viti.

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, ka njoftuar se të arrestuarit dyshohen për aktivitete kriminale.

“Është zhvilluar një operacion në tërë territorin e Kosovës, konkretisht Ferizajit, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Suharekës, Podujevës dhe Vitisë. Ky ka qenë vazhdimësi i operacionit në Karaçevë dhe rajoneve tjera. Janë ndaluar 22 persona për 48 orë, që dyshohen për aktivitete kriminale. Ndaj tyre brenda afatit ligjor do kërkohen masat për sigurimin e pandehurve nga Gjykata në Gjilan. Gjithsej numri i personale të ndaluar që nga fillimi aksionit janë 59 të dyshuar”, ka thënë Maloku.

Majori Zejnullah Surdulli nga Policia e Kosovës ka thënë se janë sekuestruar gjedhe, armë, e artikuj të ndryshëm ushqimorë.

“Janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve, artikujve të dëmshme ushqimore dhe mjete që janë përdorur për kryerje të veprimeve ilegale”, ka thënë ai.

ProkuroriaThemelore e Gjilanit përmes një komunikate për media ka njoftuar se janë kontrolluar 11 lokacione që lidhen me subjektet ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik.

“Gjatë ekzekutimit të urdhërkontrolleve, në 11 lokacione që lidhen me subjekte ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik, janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve dhe artikujve të dëmshëm ushqimor, mjete që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale, si dhe prova tjera që do të shërbejnë në procedurë të mëtejme penale”, bëhet e ditur në njoftim.