Gjendet i vdekur 23-vjeçari me nevoja të veçanta

Një 23-vjeçar u gjet i mbytur në ujërat e një rezervuari në fshatin Sqepur të Bashkisë së Dimalit. I riu Llazar Palla, i cili as nuk dëgjonte dhe as nuk fliste, u zhduk gjatë së shtunës së shkuar.

Banorët e panë pasditen e së shtunës të dilte nga banesa dhe të zbriste në rrugët e fshatit, për të humbur më pas pa asnjë gjurmë, derisa fati i tij tragjik u zbulua gjatë ditës së djeshme, raporton a2CNN.

“Ditën e sotme (dje) është gjetur i mbytur në rezervuarin e fshatit, Sqepur, Dimal, shtetasi Ll. P., 23 vjeç, banues në Sqepur, Dimal.

Shtetasi Ll. P. ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa, në datën 14.3.2021. Pas disa orësh kërkimesh, palombarët e Forcave Renea dhe Shërbimet e Policisë Dimal kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga rezervuari. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune”, sqaroi Policia.

Banorët e fshatit thanë se 23-vjeçari nuk njihej si person problematik në zonë dhe punonte vazhdimisht, duke komunikuar me anë të shenjave.

“Ishte njeri i dashur, kur të shikonte të takonte. Nuk e besojmë dot, ishte djalë i fuqishëm shumë. Djalë i ndershëm dhe i pastër. Kishte të gjitha cilësitë e mira. Komunikonim me anë të shenjave”, tha një banor.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje, ndërsa nuk dihen arsyet se pse e çuan të riun të ndërmerrte një akt të tillë.