Gjendet pa shenja jete kleriku në Kishën Ortodokse në Vushtrri
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Kishën Ortodokse në Vushtrri, ku një person është gjetur pa shenja jete, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, për shkak se një person ishte i plagosur me armë zjarri dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës i cili ishte i përgjakur dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në vendngjarje njësitë policore kanë gjetur një armë zjarri e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Sinjali mëson se viktima është klerik serb i moshës 47-vjeçare.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.

