Gjermani: Policia ndalon tetë shqiptarë pa letra qëndrimi

Policia Federale e Gjermanisë gjatë kontrolleve kufitare në autostradën A8 në Walserberg ka arrestuar në një autobus shqiptar tetë shtetas të Shqipërisë.

Nga aty, ajo i ka kthyer ata  përsëri atje nga kishin ardhur, në Austri, shkruan traunsteiner-tagblatt.de.

Personat e kapur donin të punonin në një kantier ndërtimi, pa pasur letrat e nevojshme të punës

Tetë burra midis moshës 21 dhe 55 vjeç u kanë treguar zyrtarëve pasaportat e tyre shqiptare dhe certifikatat e punëdhënësit nga një kompani ndërtimi gjermane, transmeton albinfo.ch.

Por, siç është parë nga policët, ata nuk kishin lejet e qëndrimit në Gjermani, të cilat mundësojnë punësimin atje.

Policët gjithashtu kanë zbuluar edhe disa mospërputhje në certifikatat e punëdhënësit të tetë personave të kapur kështu.  Doli se certifikatat e paraqitura ishin të falsifikuara.

Policia Federale në Freilassing ka raportuar tetë shqiptarët për falsifikim dhe tentim hyrjeje të paautorizuar në Gjermani. Kështu, i ka detyruar ata që të ktheheshin përsëri në Austri.