Gjermania i merr nga Kosova eshtrat e dy ushtarëve të saj të vrarë në Luftën e Dytë Botërore
Gjermania tregoi se çfarë respekti ka për shtetasit e vet. Pas 77 vjetësh i riatdhesoi eshtrat e dy ushtarëve të vrarë në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për krejt këto dekada familja nga Popova, vendndodhjen e varrit të gjermanëve e kishin mbajtur sekret përderisa për këtë veprim Gjermania e dekoroi Sylejman Rexhën me mirënjohje si dhe “Kryqin e argjend të nderit”
Pjesë kockore dhe gjësende që u takonin dy ushtarëve gjermanë të vrarë që nga Lufta e Dytë Botërore u gjetën në fshatin Popovë të Podujevës.
Gërmimet u bënë nga institucionet vendore dhe ato gjermane në pronën e familjes Rexha.
Pas gjetjes së ushtarëve në fjalë janë varrosur në vendin e tyre, kurse në oborrin e shtëpisë së moçme të këtij fisi qëndron kryqi përkujtimor me përshkrimin në shqip dhe gjermanisht “Këtu kanë pushuar dy ushtarë gjermanë nga 1944 deri më 2021”.
Sylejman Rexha ka rrëfyer se si fisi i tyre, më saktësisht gjyshi dhe babai i tij që të dy tashmë të ndjerë, kishin varrosur dy ushtarët që u vranë në dyluftim me partizanët para 77 vjetëve.

