Gjilan, arrestohen tre të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Me datën 04.01.2025 Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan me leje të Prokurorit të Shtetit ka realizuar një kontrolle në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të tre të dyshuarve R.H. (1979), R.H (2002) dhe A.H. (2003) të gjithë meshkuj kosovarë nga fshati Cernicë.

Kontrolli është realizuar pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative dhe sigurimit të provave se të dyshuarit, mes datave 31.12.2024-01.01.2025 dyshohet se kanë shtënë në ajër me armët e poshtëshënuara, armë të cilat janë sekuestruar gjatë kontrollit:

·Një (1) pushkë gjuetie e llojit Liberti Arms e kalibrit 12 mm (me leje),

·Një (1) pushkë gjuetie e llojit Lupo Benelli e kalibrit 308 mm (me leje),

·Një (1) pistoletë e llojit Cervena Zastave (me leje),

·Një (1) pushkë automatike e llojit Thomson Submachine Gun e kalibrit  45 mm pa leje përkatëse,

·Një (1) pushkë gjuetie e llojit Benelli Agro

·Nëntëmbëdhjetë (19) gëzhoja të kalibrit 9×9 mm,

·Dymbëdhjetë (12) gëzhoja të kalibrit 7×76 mm,

·Dy (2) gëzhoja të kalibrit 306 mm,

·Shtatë (7) fishekë të kalbirit 9 mm,

·Pesë (5) karikatorë të zbrazet dhe

·Dyqind e gjashtëmbëdhjetë (216) fishekë të kalibrit 30.06 mm.

Tre të dyshuarit janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe ndaj tyre do të ngritët kallëzim penal për ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve’’ dhe ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’, rast i cili do të procedohen në Prokurorinë Themelore, thuhet në njoftim.