Gjilan, dërgohen në mbajtje dy të dyshuar për përfshirje në ‘mashtrim’ dhe ‘falsifikim i dokumenteve’
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësia Rajonale në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, gjatë zhvillimit të hetimeve disa mujore, ka siguruar prova të besueshme se i dyshuari G. J. (1986) në bashkëpunim me të dyshuarin A. A. (2000) kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në rajonin e Gjilanit.
Të dyshuarit, përmes paraqitjes së rreme dhe mashtruese, kanë arritur t’i vënë qytetarët në lajthim dhe t’i nxisin ata të nënshkruajnë kontrata si dhe të bëjnë pagesa për avans pa marrë më pas produktet e premtuara.
Gjatë hetimeve, NJRHKEK-Gjilan, ka identifikuar 13 persona të dëmtuar në komunat e Gjilanit dhe Vitisë.
Këta qytetarë janë futur në obligime kontraktuale në vlerë totale prej 24,607.00 €, ndërsa 9 prej tyre kanë paguar edhe avans në shumën prej 3,494.00 €, me premtimin se produkti dhe dhuratat do t’u dorëzoheshin pas nënshkrimit të kontratave, gjë që nuk ka ndodhur.
Me këto veprime është krijuar dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale: “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrim”.
Të dyshuarit, me datën 20.11.2025 janë intervistuar në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, thuhet në njoftim.

