Gjilan, policia konfiskon 50 patentë-shoferë brenda një jave

Policia në Gjilan, gjatë periudhës kohore 13.02.2026-19.02.2026, në vazhdën e zbatimit të planeve operative për siguri në trafik, ka shqiptuar 1.439 gjoba.

Gjatë kësaj periudhe, po ashtu  janë shqiptuar 24 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 38 gjoba për përdorim të telefonit, 23 gjoba për modifikim të automjetit (foli të errëta) si dhe 50 masa të ndalim drejtimit të mjeteve motorike.

Policia apelon te ngasësit që gjatë drejtimit të mjetit të kenë me vete Raportin Evropian të Aksidenteve, ashtu siç parashihet me nenin 204 të Ligjit për Rregullat në Trafikun Rrugor.

Mungesa e këtij dokumenti dënohet me gjobë prej 50 euro.

Në rast të aksidenteve me dëme të vogla materiale, kur palët pajtohen për rrethanat e ngjarjes, ata janë të obliguar ta plotësojnë dhe nënshkruajnë Raportin Evropian të Aksidenteve, sipas nenit 211 të Ligjit për Rregullat në Trafikun Rrugor.

Kujtojmë se ky raport nuk plotësohet në rastet kur ka persona të lënduar ose viktima.

Në këto raste, obligative është njoftimi i Policisë, thuhet në njoftim.