Gjilan, shpërthen gypi i ujësjellësit, uji ‘pushton’ rrugë e shtëpi në “Halim Orana” e “Ibrahim Pacolli”
Një pjesë e qytetit në Gjilan është “pushtuar” nga uji sot në orët e hershme të mëngjesit. Vërshimet nuk kanë ardhur nga shiu, por nga ujësjellësi, i cili ka pësuar prishje.
Në orët e hershme të mëngjesit, një prishje në rrjetin e ujësjellësit ka shkaktuar përmbytje në lagjet “Halim Orana” e “Ibrahim Pacolli”, raporton kryelajmi.com
Si pasojë e defektit në disa gypa, një sasi e madhe uji ka vërshuar rrugët dhe ka depërtuar në shtëpi e lokale të ndryshme në këtë pjesë të qytetit.
Banorët janë shprehur të shqetësuar nga situata, duke thënë se uji ka hyrë në ambientet e brendshme dhe ka shkaktuar dëme materiale.
Ndërkohë, kompania “Hidromorava” ka dalë me një njoftim për konsumatorët e lagjeve “Dardania 1”, “Dardania 2” dhe rr. “Vëllezërit Frashëri”, ku sqaron arsyet e ndërprerjes së ujit në këtë zonë, shkaku i një defekti në gypin kryesor në rrugën “Halim Orana”.
Për shkak të një defekti në rrugën “Halim Orana”, është ndërprerë furnizimi me ujë në lagjet “Dardania 1”, “Dardania 2” dhe “Vëllezërit Frashëri”. Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit sa më shpejt të jetë e mundur. Për çdo ndryshim ose informacion shtesë, do të njoftoheni përmes kanaleve tona zyrtare, thuhet në njoftimin e KRU “Hidromorava” në Gjilan. (foto:Kryelajmi)

