Gjilanasi këput byzylykun e sigurisë – përfundon në pranga
Një rast i rëndë i shkeljes së vendimit gjyqësor është regjistruar dje në Gjilan, ku një burrë i njohur për precedentë të mëhershëm penal për dhunë në familje ka thyer masën e sigurisë të caktuar nga gjykata, duke prerë byzylykun elektronik që e monitoronte.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për S.S (rreth 47-vjeçar), i cili ishte nën urdhër mbrojtës të Gjykatës në Gjilan për shkak të dhunës ndaj bashkëshortes.
Ai po mbahej nën mbikëqyrje me pajisje elektronike të vendosur në këmbë – masë e caktuar për të parandaluar afrim me viktimën.
Më 24 prill 2025 rreth orës 15:30, qendra e monitorimit ka konstatuar shkëputje të sinjalit nga pajisja, që nënkuptonte ndërprerje të detyruar. Rreth një orë më vonë, S.S është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Gjilan.
Aty është vërejtur se byzylyku ishte prerë me mjet të mprehtë, gjë që i dyshuari e ka pranuar në prani të avokatit mbrojtës, duke thënë se veprimi ishte bërë “për shkak se pajisja po e pengonte të afrohej te fëmijët”.
Me urdhër të Prokurores së Shtetit në Gjilan, është marrë vendim që i dyshuari të dërgohet në ndalim për 48 orë, ndërsa ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën penale “Mospërfillje e Gjykatës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
